Opozita shqiptare pro planit Macron, Mickoski: Qeveria do e pranojë për Ramën, jo për popullin

Nga A2 CNN
4 Korrik 2022, 19:12 | Politikë
Opozita shqiptare pro planit Macron, Mickoski: Qeveria do e pranojë

Partia opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoni të Veriut thotë se qeveria është gati të firmosë propozimin francez, gjë e cila do të zhbllokonte hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Lideri Hristijan Mickoski tha se nesër do të mbahet një mbledhje e qeverisë, ku do të firmoset një protokoll për mbajtjen e mbledhjes së dytë mes qeverive të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kreu i opozitës, i cili iu bashkua protestave para qeverisë, tha se në atë mbledhje do të zyrtarizohet heqja e vetos, teksa akuzoi se e gjithë kjo po bëhet jo për popullin maqedonas, por për Shqipërinë.

“Këtë qeveria do ta bëjë për t’i dhënë një datë për fillimin e negociatave Edi Ramës, dhe jo për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Te ne përsëri nuk do të fillojnë bisedimet”, u shpreh ai.

Sakaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka vijuar me konsultimet për propozimin francez dhe sot mori mbështetje nga partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Opozita në Maqedoni të Veriut kërkon që në planin francez të hiqen pikat për ndryshimet kushtetuese dhe ato për gjuhën e historinë, ndërsa qeveria e Shkupit thotë se vijat e kuqe nuk janë shkelur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos