“Babalja” në apel, procesi nis me shtyrje. Salianji: I bindur që do të marr pafajësi

Nga A2 CNN
4 Korrik 2022, 14:01 | Politikë
“Babalja” në apel, procesi nis me shtyrje. Salianji: I bindur

Ervin Salianji mbërriti i vetëm në Gjykatën e Apelit Tiranë për seancën e parë të dosjes “Babalja”, por në sallën e gjyqit u fut me shokë. Një shpurë deputetësh të PD e ndoqën në sallë seancën ndaj kolegut të tyre Salianji, të dënuar me 1 vit burg nga Shkalla e Parë, që u ndërpre pa nisur për shkak të mungesës së një nga anëtarëve në pritje të një testi Covid.

Para se të caktonte datën 18 korrik për seancën e radhës, kryesuesja saktësoi se Fredi Alizoti ishte tërhequr nga ankimi. I cilësuari nga Shkalla e Parë si personi që aktroi zërin e vëllait të ish-ministrit Fatimr Xhafaj në audio-përgjimin “Babalja”, nuk kërkonte gjyq në Apel, me argumentin se e kishte përfunduar dënimin me 2 vjet burg të dhënë nga Shkalla e Parë.

Ndërsa deputeti Salianji dhe gazetari Olldashi kishin paraqitur pak ditë më parë material shtesë për ankimin në Apel, me arsyet e plota përse kërkojnë pafajësi. Salianji tha se autoritetet nuk hetuan trafikun e drogës, por montuan një proces politik, ndërsa vonesën e denoncimit ia faturoi drejtuesit të kohës së PD, Lulzim Bashës.  

Të pandehurit e dosjes “Babalja”, Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi u fajësuan nga Shkalla e Parë e Tiranës në dhjetor 2019 për “kallëzim të rremë”. Sipas gjykatës, ata inskenuan një audio-përgjim, ku pretendojnë se Geron Xhafa, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafa, diskutonte për çështje droge. 

“Me 1100% do të shpallem i pafajshëm”, nënvizoi Salianji. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/07/02/rikthehet-babalja-denimi-i-deputetit-salianji-me-1-vit-burg-apeli-cakton-daten-e-gjyqit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos