
Nacionalisti Viktor Orban fitoi bindshëm mandatin e katërt si kryeministër i Hungarisë në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura të dielën. Partia e tij e djathtë Fidesz siguroi mbi 53 për qind të votave, ndërsa fronti i bashkuar i opozitës më proeuropian i drejtuar nga Peter Marki-Zay mbetet prapa me 35 për qind të mbështetjeve.
Në fjalimin e fitores, Orban kritikoi burokratët e Brukselit dhe presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, duke i cilësuar ata kundërshtarë.
“Shënuam një fitore aq të madhe sa mund të shihet edhe nga Hëna, e me siguri shumë qartë nga Brukseli. Nuk kemi pasur kurrë më shumë kundërshtarë. Burokratë në Bruksel, mediat ndërkombëtare dhe presidentin ukrainas”, tha Orban.
Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht Orban për moslejimin e kalimit të armëve nga vendi i tij në Ukrainë. Por megjithëse ka lidhje të ngushta me moskën, Orban e ka dënuar pushtimin rus dhe ka pranuar gjysmë milion refugjatë nga vendi fqinj.
Kur të konfirmohet nga Komisioni Zgjedhor, fitorja do të jetë e katërta radhazi për partinë Fidesz që prej vitit 2010.
Partia e Orban do të ketë 135 vende ose një shumicë prej 2/3 në parlament, ndërsa opozita 56 të tilla. 58-vjeçari ka një marrëdhënie të tensionuar me BE-në, që e akuzon për kontroll ndaj mediave dhe institucioneve demokratike në vend.
Në 12 vite në pushtet, Orban ka rishkruar Kushtetutën, ka mbushur gjykatat me mbështetës të tij, si dhe ka ndryshuar sistemin elektoral në avantazhin e vet. (A2 Televizion)