
Bashkëpunimi me opozitën, për të cilin foli Kryeministri, u nevojitet edhe socialistëve. Ministri i emëruar i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se po punohet me partnerët për zgjatjen e afatit të organeve të vettingut, që skadon qershorin e ardhshëm.
Për këtë nevojitet një tjetër ndërhyrje në Kushtetutë, për të cilën mazhorancës i duhen edhe votat e demokratëve.
“Mandati i tyre mbaron më 17 qershor 2022. Janë 431 subjekte të vettuara dhe mbeten në proces 370 subjekte. Për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi. Ne mendojmë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me bashkautorët e reformës në drejtësi, që ky proces të përfundohet nga organet e vettingut. Ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës, që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe i Komisionerëve Publikë, të zgjatet deri në përfundim të procesit të vettingut. Ne nuk i kemi votat e nevojshme për të ndërhyrë në Kushtetutë, por do të kërkojmë mirëkuptimin dhe konsensusin e opozitës”, tha Ulsi Manja. (A2 Televizion)