Organet e vetingut, si vijon procesi dhe pse ambasadorët preferojnë zgjatjen e afateve

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 19:50 | Aktualitet
Organet e vetingut, si vijon procesi dhe pse ambasadorët preferojnë

Amendamenti Kushtetues për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut parashikon që puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik të mos ndalen në qershor të këtij viti por të vijojnë deri në fund të vitit 2024.

Hallka e parë e vetingut, KPK-ja është organi i cili bën rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa Komisioneri Publik është institucioni që gëzon të drejtën për të apeluar vendimet në shkallën e dytë të vetingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, mekanizëm i përdorur në disa raste nga vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së.

Kur u hartua Reforma në Drejtësi opsioni që procesi i vetingut do të zgjaste përtej afatit 4-vjeçar, ishte parashikuar dhe si zgjidhje ishte menduar vijimi i procesit nga institucionet e reja të drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhet të vijojë me vetingun e gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me atë të njerëzve të akuzës.

Ndërsa ankimimi në KPA, shkallën e dytë të vetingut, iu besua SPAK-ut. Qartazi mekanizmi ligjor për vijimin e procesit ekziston, fakt që ngre pyetjen përse insistojnë ndërkombëtarët që të zgjatet afati i organeve të vetingut? Përgjigjen e ka dhënë vetë kreu i KLP-së Gent Ibrahimi disa muaj më parë në studion e A2 CNN.

https://a2news.com/2022/02/08/vetingu-ne-drejtesi-nderkombetaret-presion-per-zgjatjen-e-afatit-pergjegjesi-e-te-gjitheve/

“Korporativizmi në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve  nuk është një përrallë. Reforma ka bërë hapa madhore për ta moderuar këtë instinkt, por jo deri në atë pikë sa të besosh që këto këshilla të bëra nga magjistratë  do të arrijnë të bëjnë drejtësi për kolegët e tyre”, ishin fjalët e tij.  

Kjo tregon se edhe vetë ndërkombëtarët nuk i besojnë njerëzve të drejtësisë së re që mbushin radhët e KLGJ-së dhe KLP-së, të dalë pikërisht nga filtrat e vetingut.

Nëse amendamenti kushtetues nuk miratohet në parim, ai nuk mund të kthehet në procedurë parlamentare për 6 muaj. Kjo do të çonte në skenarin që ambasadorët po kërkojnë të shmangin, transferimin e vetingut te KLGJ dhe KLP.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/02/09/nga-vetingu-i-kapur-prej-rames-te-votat-per-ti-zgjatur-afatin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos