Osmani dhe Kurti emërojnë Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 10:33 | Kosova
Osmani dhe Kurti emërojnë Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën. Sipas tyre, ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.

Për rreth katër muaj Agjencia Kosovës për Inteligjencë (AKI) mbeti pa drejtor. Kjo pasi më 17 dhjetor të vitit 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti liroi nga detyra e shefit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Pas katër muajve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sot më 15 prill kanë emëruar Petrit Ajetin shef të ri të AKI-së.

Ligji për AKI-në specifikon se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Megjithatë, njohësit dhe opozita thonë se është shkelur ligji duke qenë se pozita e drejtorit të AKI-së mbeti vakante për rreth 4 muaj duke e ngritur këtë çështje disa herë e duke thënë se po rrezikohet siguria kombëtare.

Vetëm prej vitit 2015 në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që e ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë i emëruari i vitit 2009, Bashkim Smakaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos