
Është koha të ulemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme me BE dhe SHBA. Kështu është shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një takim me korrespondentët politikë, gjatë qëndrimit të saj në Berlin, raporton Deutche Welle në shqip.
"Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”. Osmani theksoi se tani kanë mbetur të sqarohen disa detaje në lidhje me riorganizimin e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e forcave policore nga komunat në fjalë, dy kërkesa këto aktuale të vendeve të Quintit ndaj Kosovës.
Përsa i përket zgjedhjeve të reja në katër komunat serbe në veri të Kosovës, Osmani tha se kusht për mbajtjen e tyre është që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve.
"Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t'u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”..
Sa i përket tërheqjes së forcave policore, ajo tha se Kosova ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR dhe EULEX, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja. Sipas saj duhen të vijojnë përpjekjet e përbashkëta për sundimin e ligjit për të gjetur kriminelët që ushtruan dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe të tjerëve.
Mosmarrëveshjet aktuale të Kosovës me BE dhe SHBA ajo i shpjegoi me pakënaqësinë e vendeve partnere për situatën e krijuar në veri që nga 26 maji, kur nisën punën katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme të serbëve, më 29 maj, u lënduan një numër i madh ushtarësh të KFOR-it dhe civilë.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një nga kërkesat kyçe të partnerëve ndërkombëtarë në dialog, ajo tha se "jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, të ndihen të dëgjuar, të ndihen të përfshirë. Kosova është shtëpia e tyre. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska. Edhe një kushëri i largët i Republika Srpska është shumë i rrezikshëm për rajonin tonë”, tha Osmani.
Sa për procesin e liberalizimit të vizave, ajo tha se nuk beson se ai do të ndalet, sikurse ishte aluduar nëpër media: "Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, siguroi presidentja. (A2 Televizion)