Osmani në Bullgari: Serbia krijoi krizë që të mos flitet për ujdinë finale

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 14:48 | Kosova
Osmani në Bullgari: Serbia krijoi krizë që të mos flitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se ka krijuar krizën e javëve të fundit që të mos diskutohet për marrëveshjen finale mes të dyja vendeve. Deklaratën e bëri gjatë një vizite zyrtare në Bullgari.

Duke folur në konferencë me homologun, Rumen Radev, në Sofje, Osmani nënvizoi se ndërmjetësuesit e Bashkimit Europian për dialogun duhet të kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit. Presidentja e Kosovës tha mes të tjerash se pala serbe diskuton në tavolinën e negociatave me kushtëzime dhe pengesa. “Duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tryezës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”, tha Osmani.

Gjithashtu, përsëriti qëndrimin pozitiv karshi propozimit franko-gjerman, që tashmë në Kosovë po konsiderohet si Europian, për përmbylljen e procesit të dialogut me një marrëveshje përfundimtare që normalizon raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos