“Paç fatin e Lali Erit”, Rama dhe Veliaj nisin fushatën për Tiranën  

Nga A2 CNN
13 Mars 2023, 16:32 | Politikë
“Paç fatin e Lali Erit”, Rama dhe Veliaj nisin fushatën

Dy muaj para zgjedhjeve vendore, Erion Veliaj zgjodhi të prezantonte strategjinë e Tiranës për 5 vitet e ardhshme duke shënuar politikisht edhe hapjen e fushatës elektorale të PS për kryeqytetin. Prezenca e kryeministrit Edi Rama ishte për të treguar mbështetjen dhe punën në ekip të mazhorancës.

Rama u fokusua tek programi i qeverisë së tij për rritjen e pagave, jo atë në muajin prill, por duke e shtrirë këtë strategji deri në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Në fund të prillit paga minimale të jetë 40 mijë lekë të reja. Në 2025-n të jetë 45 mijë lekë”.

Nuk mungoi ironia e tij për programin e kundërshtarit politik të Erion Veliajt. “e dinë që nuk vijnë kurrë në pushtet, mund të premtojnë gjithçka që nuk mund të testohet”, tha Rama.

Pasi i kërkoi ndihmë kancelarit gjerman Olaf Scholz që të gjejnë një zgjidhje për të penguar largimin e forcës punëtorë nga Shqipëria, thirrjen e dytë kryeministri ia drejtoi bizneseve në Shqipëri. “humbja e burimeve njerëzore. Ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme”, tha Rama.

Kryetari i mazhorancës nuk e ndoqi prezantimin e Veliajt deri në fund, me justifikimin se po shkonte të punonte për fitoren e në kryeqytetet. “Të kesh qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të shohësh këtë prezantim, e ke të pamundur të mos thuash me vete ‘paç fatin e Lali Erit’”, tha Rama.

Menjë pamje dhe funksion të ri, Veliaj njoftoi inaugurimin e Piramidës pak javë para zgjedhjeve. “Muajin tjetër, siç jemi, do të jemi të ftuar në një festë të madje për hapjen e Piramidës”, tha Veliaj.

Projektet e prezantuara nga kryebashkiaku i Tiranës ishin të fokusuara tek investimet në infrastrukturë, arsim dhe inovacion.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos