Pajtoi dy vrasës me pagesë për t’i vrarë burrin dhunues, në pranga shqiptarja e vëllai i saj në Itali

Nga A2 CNN
27 Korrik 2023, 14:01 | Kronikë

Një shqiptar me emrin Petrit Caka u ekzekutua në banesën e tij në Rocca Priora të Italisë në 13 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa porositësja e ngjarjes ishte vetë bashkëshortja, e cila, e lodhur nga abuzimet e shumta nga bashkëshorti i saj, gjeti si zgjidhje të vetme “shpëtimi” vrasjen e tij, e kështu aktivizoi të vëllanë për të gjetur vrasës me pagesë.

Dy vrasës me pagesë udhëtuan nga Shqipëria për në Itali për të kryer “punën” që morën përsipër, kundrejt pagesës me një plan të qartë dhe të mirëmenduar. Ata inskenuan një grabitje në shtëpinë e shqiptarit e më pas e vranë me thikë duke i shkaktuar një sërë plagësh në qafë dhe në trup me pasojë vdekjen. Pasi ekzekutuan planin e vrasjes ata u kthyen në Shqipëri po atë mbrëmje, falë mbështetjes së porositësve të vrasjes.

Sipas mediave italiane, karabinierët e njësisë hetimore të Grupit Frascati u vunë në gjurmët e vrasësve dhe mundën të identifikonin mjetin e përdorur dhe rrugët e përshkuara prej tyre atë ditë. Ka qenë vetë gruaja ajo që i dha alarmin karabinierëve se gjoja zbuloi trupin e bashkëshortit të vrarë pas një grabitje në shtëpi, por më pas skenari i ngjarjes ndryshoi totalisht duke nxjerrë zbuluar porositësit dhe vrasësit e shqiptarit Petrit Caka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos