
Personazhe të njohur të botës së krimit dhe biznesit, zyrtarë të lartë policie, si edhe një prokuror dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të goditur mëngjesin e herët të së premtes nga SPAK. Ata dyshohen për vepra të rënda penale, mes të cilave “vrasje” e “grup të strukturuar kriminal”.
Operacioni për ekzekutimin e gati 15 urdhër-arresteve të lëshuar nga Gjykata e Posaçme u shtri në Tiranë, Shkodër dhe Kukës. Burime jozyrtare konfirmuan arrestimin e Oltion Bistrit, ish-shef i Forcave Operacionale, detyrë nga e cila ishte larguar vetëm pak ditë më parë. Po ashtu, në pranga ka përfunduar prokurorit Xhevahir Lita, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, biznesmeni Pëllumb Gjoka, si edhe Asmer Bilali, i dyshuar si anëtar i grupit “Bajri” në Shkodër.
Sipas burimeve, SPAK ka siguruar një tjetër urdhër-arresti për Ervis Martinajn, fati i të cilit nuk dihet prej një viti, kur familjarët e tij denoncuan humbjen e kontakteve me të. Sipas SPAK, dyshohet se Ervis Martinaj dhe biznesmeni Gjoka janë përfshirë në vrasjen e Gjin Ndoji Boriçit në 2020 në Vaun e Dejës.
Në lidhje me këtë episod, SPAK, ka vënë në përgjegjësi penale për “korrupsion” edhe prokurorin Lita, atëkohë prokuror në Shkodër. Martinaj pretendohet të ketë siguruar kushtet për vrasjen e Kleant Musabelli, e cila nuk është kryer. Mes urdhër-arresteve ndodhet edhe emri i Elion Hatos, lidhje miqësore e Martinajtj, i dyshuar për tentativën e vrasjes së Taulant Pepës në shkurt 2021.
Ndërsa dy ish-zyrtarë policie, pjesë e dosjes, dyshohet se ka dhënë ndihmesë në një tentativë vrasjeje.
Ministri Balla përshëndet aksionin e SPAK dhe Policisë së Shtetit:
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përshëndetur operacionin organizuar gjatë mbrëmjes së djeshme të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Balla deklaron se ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, Balla ka përgëzuar drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
“Gjatë gjithë natës së sotme Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar, rezultat konkret i bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, të cilën e falënderoj për bashkëpunimin dhe besimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin.
Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.
Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Faleminderit të gjithëve dhe vetëm përpara!” (A2 Televizion)
Postimi i Taulant Ballës