
Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” foli dhe për aktin normative të miratuar së fundmi nga qeveria për të luftuar krimin e organizuar, i njohur ndryshe si paketa anti-KÇK.
Sipas kreut të shtetit, lufta kundër krimit nuk bëhet me fushata dhe ai shtoi se nëse bëhen ndryshime në ligj, ato duhet të jenë të mirëmenduara dhe të mos kenë mbivendosje ligjore dhe institucionale.
“Lufta kundër krimit është një kërkesë e vjetër, e reja është imperativi për të dhënë rezultate. Legjislacioni ka qenë i plotë, duhet të jemi të kujdesshëm. Kjo luftë nuk zhvillohet me fushata, por çdo ditë dhe për këtë arsye duhet të respektohet Kushtetuta dhe shteti ligjor. I gjithë legjislacioni ka qenë aty, institucionet po aty. Por kur bëhen ndërhyrje në ligj ato duhet të jenë të mirëmenduara, transparente dhe të mos krijojnë kontestime dhe mbivendosje të karakterit ligjor dhe institucional”, deklaroi presidenti Meta. (A2 Televizion)