
Bashkimi Evropian reagoi dhe njëherë, kësaj here përmes zëdhënëses së tij Ana Pisonero për çështjen e të ashtuquajturës paketës antishpifje të miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Përmes një deklarate për shtyp, Pisonero u shpreh se BE mbështet rekomandimet e KE për ligjin e medias dhe kërkon adresimin e rekomandimeve.
“ E kemi bërë të qartë se BE mbështet rekomandimet e KE në lidhje me ligjin e medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe për ne ato duhen adresuar. Fakti që presidenti i Shqipërisë e ka kthyer ligjin në Parlament, përbën një shans për t’i pranuar rekomandimet. Ne shpresojmë se kjo të realizohet”, tha Pisonero.
“Brukseli”, shtoi ajo, “mbështet "në tërësi" rekomandimet e Këshillit të Evropës drejtuar Tiranës duke kërkuar "promovimin e vetë-rregullimit të mediave, një rishikim të pavarur gjyqësor të ankesave për media dhe transparencë më të madhe të pronarëve të grupeve të mediave e vendit", përfundon Pisonero. (A2 Televizion)