Paketa antishpifje, rrëzohet dekreti i Metës, Presidenca: E çojmë në Kushtetuese

Nga A2 CNN
22 Janar 2020, 13:27 | Politikë

Edhe një tjetër rrëzim për Presidentin Ilir Meta nga mazhoranca në Parlament. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese refuzoi ndryshimin e paketës ligjore për mediat elektronike. Ashtu siç kishin paralajmëruar, socialistët nuk i morën parasysh sugjerimet e Presidentit.

Por këshilltari ligjor i Metës, Bledi Dervishi, theksoi se dispozitat e paketës antishpifje bien në kundërshtim me kushtetutën për të drejtat e lirisë së medias. “Përmes këtij ligji vendosen masat administrative sa i takon mediave elektronike. Pra nëse do të kemi vendime nga AMA, vendimet do të ekzekutohen nga AKEP, me bllokimin e mediave ose gjobvënie”, tha ai.

Bledi Dervishi, këshilltar ligjor i Presidentit

“Këto dy ligje është e detyrueshme të shqyrtohen bashkërisht. Duke qenë se këto dy ligje janë dërguar në Komisionin e Venecias për marrjen e një opinioni, do të duhej të pritej opinioni. Nuk e kuptoj këtë nxitim”, shtoi ai. “Do të shohim se si do të ecë shqyrtimi i ligjit tjetër dhe nëse qëndrojnë të dyja siç janë, në Gjykatën Kushtetuese”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos