
Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka përsëritur edhe njëherë thirrjen se ligji i njohur ndryshe si paketa antishpifje duhet të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias.
Diplomati europian i bëri thirrje mazhorancës që të vijojë konsultimet me grupet e interesit për këtë ligj i cili sipas tij është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye duhet të jetë në një linjë me standardet europiane.
“Çdo amendament në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në një linjë me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Autoritetet shqiptare kanë shprehur angazhimin e tyre për të vijuar punën me këtë ligj për të adresuar të gjitha çështjet e theksuara në opinionin e Venecias.
Kemi ndjekur deklaratat e bëra nga mazhoranca një ditë më parë e cila angazhohet se do të ndjekë të gjitha këto rekomandime dhe se do të zhvillojë konsultimet e duhura. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndërmarrin konsultime me organizatat e mediave dhe shoqërinë civile për të marrë në konsideratë opinionin e tyre.
Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë ligj kaq të rëndësishëm në mënyrë që paketa të jetë në linjë me të gjitha standardet e nevojshme europiane dhe ndërkombëtare”, shkruan Soreca në rrjetet sociale. (A2 Televizion)