
Prej 25 vitesh atmosferës së festave kombëtare të pavarësisë dhe çlirimit, u është shtuar edhe një refren i veçantë: “Shihemi në panair”. Nga e mërkura deri të dielën në mbrëmje shkrimtarët, përkthyesit, botuesit po aq sa edhe redaktorët, presin në Pallatin e Kongreseve dashamirësit e librit.
Ishte viti 1998 kur panairi i librit është mbajtur për herë të parë si ngjarje artistike. Kohët e vështira në të cilat kaloi shoqëria shqiptare nuk e penguan asnjë vit festën e librit, duke u shndërruar prej 25 vitesh ndër më të veçantat e nëntorit pas ditës së flamurit dhe asaj të çlirimit.
Kreu i shoqatës së botuesve shqiptarë ka theksuar se ndonëse ka një bashkëpunim të hershëm me Ministrinë e Kulturës, 5 ditë në Pallatin e Kongreseve në emër të librit nuk mjaftojnë për ta çuar atë deri te shkollat.
Ndaj edhe kërkoi bashkëpunim për të fituar lexuesin e së ardhmes, të vegjlit sot.
Panairi këtë vit bën bashkë rreth 100 botues nga trojet shqipfolëse dhe gjithçka në emër të librit dhe lexuesit shqiptar. (A2 Televizion)