
Që në ditët e para të izolimit nga Covid-19, me kamerat e A2 kemi monitoruar gjendjen e ajrit në qytetin e Tiranës, nga pika të ndryshme të saj dhe për ditë të ndryshme të muajve mars dhe prill.
Në vetëm pak ditë, ndalimi i qarkullimit të automjeteve ka mjaftuar për të çliruar frymëmarrjen e Tiranës. Prania në rrugë e pak makinave të autorizuara ka bërë që ajri në Tiranë të pastrohet nga tymrat e makinave. Por, pluhuri dhe grimcat e ngurta kanë qenë të pranishme në ajër në 2 javët e para të Tiranës.
E filmuar nga pika të ndryshme dhe në ditë të ndryshme, Tirana duket e pastër nga tymi dhe me sy të lirë mund të dallojmë qartë objekte në një distancë 3-4 km. Por, përtej kësaj largësie, një re e hollë pluhuri dallohet tej në horizontin e Tiranës. Në kushtet e vështira të Covid-19, lajmi më i mire është pikërisht reduktimi i ndotjes së ajrit në Tiranë, shumë pranë standarteve europiane, por kjo do të jetë kalimtare dhe jo vetëm për Tiranën, por edhe për shumë qytete të botës. (A2 Televizion)