
Dy rastet e fundit pozitive me Covid-19 në Elbasan, ku u konfirmua shoferi i një fasonerie dhe bashkëshortja e tij, kanë detyruar mbledhjen e shtabit të emergjencave civile në këtë qark, me qëllim analizimin e situatës dhe marrjen e mëtejshme të masave parandaluese.
Drejtori i Shëndetit Publik në Elbasan, Xhevahir Budani, u shpreh se situata po monitorohet në terren nga grupet epidemiologjike dhe pritet që të gjithë punonjësit e fasonerisë të testohen.
Ndërkohë, prefekti i qarkut të Elbasanit ka kërkuar më shumë transparencë me listat e familjeve në nevojë dhe shikimin e mundësive për shtimin e familjeve që duhet të ndihmohen nga shtetit.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, kërkoi angazhim më të madh të strukturave që janë pjesë në zinxhirin korodinues të kësaj situate.
Që nga rasti i parë me Covid-19 në qarkun e Elbasanit janë kryer 285 analiza, nga të cilat kanë rezultuar pozitive vetëm 18 raste, të gjitha këto në bashkinë e Elbasanit. (A2 Televizion)