
Iria Preza, specialiste e programit kombëtar të vaksinimit, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit”, në A2 CNN, tregoi se sa përqind e popullsisë është vaksinuar me dozën e tretë, ndërkohë që i bëri thirrje edhe grupmoshës 18-24 vjeç që të vaksinohet, pasi varianti BA.2 është më agresiv sesa Omicron.
“Deri tani, 10% e popullsisë kanë kryer dozën e tretë. Varianti BA.2 ende nuk është konfirmuar në vendin tonë, por është vënë re që ky mutacion ka qenë më agresiv sesa Omicron. Prandaj është e rëndësishme që të zbatojmë masat dhe të vaksinohemi. Edhe ata që e kanë kaluar Covid, ndoshta edhe dy herë, mund të infektohen sërish. Prandaj duhet doza e dytë dhe e tretë. I bëj thirrje grupmoshës 18-24 vjeç që të vaksinohen, mbulesa me dozën e parë te kjo kategori është rreth 33%”, tha Preza.
Kur u pyet se çfarë do të sjellë dimri i ardhshëm, ekspertja tha: “Parashikimi është i vështirë, por ne duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të parandaluar përhapjen e virusit. Masat dhe vaksinimi janë kryesoret”. (A2 Televizion)