
Emergjenca e pandemisë së koronavirusit parashikon një skenar edhe më të egër në Nju-Jork. Në këto kushte, kryebashkiaku Bill de Blasio paralajmëroi të hënën për një mbyllje të mundshme të plotë të qytetit ndërsa numri i rasteve të reja rritet.
"Ne po shohim një rritje të infeksioneve që nuk e kemi parë që nga maji dhe duhet të ndalojmë vrullin", tha de Blasio, duke iu referuar kohës kur vendi ishte epiqendra e pandemisë në SHBA.
Paralajmërimi i Kryetarit të Bashkisë vjen në të njëjtën ditë kur vaksinat e para të koronavirusit mbërritën në Nju-Jork.
Blasio konfirmoi që vaksina mbetet e vetmja shpresë në këtë situatë, ndërsa theksoi se punonjësit e shëndetit dhe të moshuarit do të jenë përparësia kryesore e qytetit.
Ky parashikim u bë më herët edhe nga guvernatori i Nju-Jork, Andrew Cuomo, sipas të cilit, shifrat në rritje të të prekurve dhe vdekshmëria në nivele të larta, parashikojnë një skenar të egër, ndaj duhet të merren masa. (A2 Televizion)