
Papa Francesku e cilësoi si absurde dhe mizore luftën në Ukrainë dhe bëri thirrje për armëpushim dhe negociata, dy ditë para njëvjetorit të pushtimit rus. Papa e quajti këtë një “përvjetor të trishtë” dhe i kërkoi botës të bëjë çdo përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.
“Të dashur vëllezër dhe motra. Më 24 shkurt, do të shënohet një vit qe prej pushtimit rus. Ka kaluar një vit që prej nisjes së kësaj lufte mizore dhe absurde; një përvjetor i trishtë. Numri i të vdekurve, plagosurve, refugjatëve dhe të zhvendosurve e po ashtu dëmet ekonomike dhe sociale flasin vetë. Zoti e faltë dhunën dhe krimet e shumta.
Le të qëndrojmë pranë popullit të martirizuar të Ukrainës, i cili vazhdon të vuajë dhe le të pyesim veten: A është bërë gjithçka e mundur për të ndalur luftën? I bëj thirrje kujtdo që ka autoritetin e duhur të angazhohet në mënyra konkrete për ti dhënë fund konfliktit; për të arritur armëpushime e për të nisur negociatat. Ajo që është ndërtuar mbi rrënoja nuk mund të jetë kurrë një fitore reale”, tha Papa. (A2 Televizion)