I shpëtoi bllokimit në shpellë për 17 ditë në Tajlandë, futbollisti ndërron jetë në mënyrë misterioze në Angli

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2023, 14:10 | Bota

Duangphet Phromthep , 17 vjeç, i cili ishte një nga 12 djemtë e shpëtuar nga një shpellë në Tajlandë në vitin 2018, është gjetur i pajetë me lëndime në kokë në ambientet e një akademie futbolli në Leicestershire të Anglisë.

Ai u gjet pa ndjenja në ambientet e konviktit dhe u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve në kokë. Për këtë rast, autoritetet angleze janë duke kryer hetimet dhe janë ende të paqarta rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.

“Jemi të tronditur, por duhet të pranojmë atë që ka ndodhur dhe të lutemi për Dan”, tha Thanapron Phromthep, nëna e 17-vjeçarit.

Duangphet ishte kapiten i ekipit të futbollit në vitin 2018, kur ata mbetën të bllokuar në shpellë së bashku me trajnerin e tyre për shkak të përmbytjeve të musonit. Ata qëndruan për gati 17 ditë të bllokuar në shpellë duke marrë vëmendjen e të gjithë botës, ndërsa u nxorën pas një misioni tejet të vështirë shpëtimi, ku morën pjesë 90 zhytës ekspertë vendas dhe 50 të ardhur nga shtete të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos