Putin takon kryediplomatin kinez: Marrëdhëniet tona po arrijnë gurthemel të ri, s’ndikohemi nga jashtë

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2023, 15:29 | Bota
Putin takon kryediplomatin kinez: Marrëdhëniet tona po arrijnë

Në një klimë miqësore, pa tryezën e gjatë qe e ka ndare në përballjet me liderët e shteteve perëndimore, presidenti Putin u takua me kryediplomatin kinez Wang Yi në Moskë. Në një moment vendimtar të luftës në Ukrainë, kur mbështetja e Pekinit bëhet gjithmonë e më e domosdoshme, Putin i tha të dërguarit të presidentit Xi Jinping se marrëdhëniet mes dy vendeve luanin një rol të rëndësishëm në stabilizimin e situatës ndërkombëtare.

“Marrëdhëniet ruso-kineze po zhvillohen ashtu siç e kishim planifikuar; çdo gjë po shkon përpara dhe po zhvillohet. Ne po arrijmë një gurthemel të ri. Lidhjet ndërkombëtare sot janë më të vështira. Ato nuk janë përmirësuar pas kolapsit të sistemit bipolar, por në të kundërtën janë bërë edhe më të mprehta. Në këtë aspekt, bashkëpunimi ne skenën ndërkombëtare mes Republikës popullore të Kinës dhe Federatës Ruse, luan rol kyç në stabilizimin e situatën ndërkombëtare”, tha Putin.

Nga ana e tij, kryediplomati kinez, siguroi presidentin rus se marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës nuk mund te influencohen nga vendet e tjera. Wang u takua me Putin pas bisedimeve të zhvilluara më herët me ministrin e jashtëm rus,  Sergei Lavrov.

 “Ne duam të theksojmë edhe një herë se partneriteti strategjik mes Rusisë dhe Kinës nuk ka qenë kurrë I drejtuar kundër një pale të tretë dhe se me siguri nuk do të ndikohet nga ndërhyrja dhe provokimet e ndonjë pale të tretë”, tha Wang Yi.

Vizita e zyrtarit të lartë kinez në Moskë, është ndjekur me shumë kujdes nga perëndimi, mes shqetësimeve se si afrimi i vazhdueshëm mes dy vendeve mund të ndikojë tek lufta në Ukrainë, e cila më 24 shkurt shënon një vit. Edhe pse Kina ka pretenduar njëanshmëri sa i përket çështjes, ajo ka refuzuar të dënojë Moskën dhe i ka bërë jehonë akuzave të Kremlinit, se NATO po provokon konfliktin. Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e së cilave me Kinën janë përkeqësuar ndjeshëm pas incidentit me balonën përgjuese, pretendojnë se Pekini po konsideron të ndihmojë ushtarakisht Moskën për luftën në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos