
Papa Françesku ka dalë nga spitali Gemelli ku iu nënshtrua, 10 ditë më parë, një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se stafi i spitalit u mblodh në hyrjen e godinës për ta përshëndetur 86-vjeçarin, teksa një turmë njerëzish ishin mbledhur për ta parë.
Papa Françesku qëndroi në spitalin Gemelli të Romës pas një operacioni abdominal të mërkurën e shkuar. Ai i ishte kthyer punës nga spitali dhe tashmë do të dërgohet në Vatikan.
Të enjten, drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, bëri të ditur se, sipas mjekëve, Ati i Shenjtë po rikuperohej me ritme të mira.
Ndërkohë, që ndodhej në spital, Françesku, sipas raportimeve, vizitoi edhe pavijonet e Onkologjisë pediatrike dhe Neurokirurgjinë pediatrike. (A2 Televizion)