Papa në Hungari, emigracioni dhe lufta në Ukrainë në krye të agjendës

Nga A2 CNN
28 Prill 2023, 13:35 | Bota
Papa në Hungari, emigracioni dhe lufta në Ukrainë në krye

Papa Françesku mbërriti në Hungari për një vizitë 3-ditore, në udhëtimin e tij të parë të plotë në këtë vend që kur u bë Papë, 10 vite më parë. Çfarë e ka mbajtur larg, është qëndrimi i ashpër kundër emigracionit i kryeministrit Viktor Orban, që bie ndesh me dhembshurinë që 86-vjeçari ka treguar për të gjithë refugjatët.

Tani, përveç mbështetjes për katolikët, ajo që e sjell në Hungari është lufta në Ukrainë. Dy vendet ndajnë një kufi prej 134 km. Por ndryshe nga liderët e tjerë të Bashkimit Europian, Orban ka refuzuar të mbështesë me ndihma ushtarake Kievin dhe ka ruajtur marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Do të jetë një udhëtim në qendër të Europës, mbi të cilën vijojnë të fryjnë erërat e acarta të luftës”, tha Papa në prag të vizitës që pritej me padurim nga hungarezët.

 “Po pres me padurim ta shoh, e dua atë. Lutem për të çdo ditë, dhe që të jetë në gjendje të përballojë një përgjegjësi kaq të madhe”, thotë një qytetare hungareze. 

Ky është udhëtimi i parë i Kreut të Selisë së Shenjtë që kur u shtrua në spital për bronshit në muajin mars. Edhe pse qëllimi kryesor është takimi me katolikët në Hungari, vetë Papa e pranoi se vizita do të shënjohet nga ngjarjet aktuale, si lufta në Ukrainë dhe emigracioni. Ai pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Orban, ndërsa të dielën do të mbajë një meshë në qiell të hapur para parlamentit. Në muajin mars, Orban tha se Hungaria dhe Vatikani janë dy shtetet e vetme europiane qe mund të përshkruhen si pro-paqes lidhur me Ukrainën. Papa ka qenë edhe më parë në Europën lindore, në vitin 2019 kur vizitoi Rumaninë dhe 2021-shin në Sllovaki.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos