
“Mesdheu është një varrezë pa gurë varresh, le të ndalojmë mbytjen e qytetërimeve”. Këtë tha Papa Françesku gjatë takimit me emigrantët në ishullin grek të Lesbos.
"I lutem Zotit të na zgjojë ndjenjat ndaj atyre që vuajnë, të na shkundë nga individualizmi që përjashton, të zgjojë zemrat e shurdhra ndaj nevojave të të tjerëve”, shton ai.
Papa Françesku u kthye në qendrën e refugjatëve në Lesbos, 5 vjet pas vizitës së tij të parë. Ai eci mes 200 njerëzve të mbledhur për ta dëgjuar.
“Mbylljet dhe nacionalizmat, na mëson historia, çojnë në pasoja katastrofike është iluzion të mendosh se mjafton të mbrohesh, duke u mbrojtur nga më të dobëtit që trokasin në derë", shtoi Bergoglio.
“E ardhmja do të na vërë edhe më shumë në kontakt me njëri-tjetrin. Për ta kthyer në të mirë, nuk duhen veprime të njëanshme, por politika të gjera”, përfundoi ai. (A2 Televizion)