Parakalimi i gabuar provokon sherr në Vaun e Dejës, i riu nxjerr kallashin

Nga A2 CNN
17 Korrik 2023, 13:19 | Kronikë
Parakalimi i gabuar provokon sherr në Vaun e Dejës, i riu nxjerr

Një parakalim i gabuar ka provokuar një konflikt midis disa të rinjve në Vaun e Dejës, që mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e policisë së shtetit.

Sipas një njoftimi të uniformave blu, 28-vjeçari me inicialet M.P., i cili është shpallur në kërkim, ka marrë armën e tij automatike në momentin kur është parakaluar nga 23-vjeçari A.Gj.

Njoftimi i policisë:

Pas një konflikti të çastit për parakalim të gabuar me automjet, midis shtetasve M. P., 28 vjeç dhe A. Gj., 23 vjeç, shtetasi M. P. është larguar dhe ka marrë armën e zjarrit tip automatik që mbante me vete.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit midis këtyre dy shtetasve. Gjatë ndjekjes nga Policia, shtetasi M. P. ka hedhur armën e zjarrit dhe është larguar.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit A. H., 21 vjeç, K. Sh., 19 vjeç, R. H., 30 vjeç dhe Xh. H., 25 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, pasi kanë tentuar të fshehin armën e zjarrit që mbante shtetasi M. P.   Vijon puna për kapjen e shtetasit M. P. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos