
Pandemia e Covid-19 do të vazhdojë edhe një vit më shumë se sa duhej, pasi vendet e varfra nuk po sigurojnë dot vaksinat e nevojshme.
Paralajmërimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas mjekut Bruce Aylward, zyrtar i lartë në OBSH, kjo nënkupton se kriza e Covid-19, mund të zvarritet lehtësisht edhe përgjatë 2022-shit.
“Mund t'ju them se nuk jemi në rrugën e duhur. Ne me të vërtetë duhet ta përshpejtojmë vaksinimin, ose e dini çfarë? Kjo pandemi do të vazhdojë për një vit më shumë se sa duhet”, tha Bruce Aylward.
Më pak se 5 për qind e popullsisë afrikanë është vaksinuar krahasuar me 40 për qind në shumicën e kontinenteve të tjera. OBSH-ja i bën thirrje vendeve të pasura të heqin dorë nga porositë e vaksinave, në mënyrë që kompanitë farmaceutike t’i japin prioritet shteteve me të ardhura të ulëta.
Sipas të dhënave të Aleancës së grupeve bamirëse për vaksinimin e popullsisë, vetëm 1 në 7 doza të premtuara nga kompanitë prodhuese dhe shtetet e pasura po arrijnë aktualisht destinacionin në vendet e varfra.
Pjesa më e madhe e vaksinave kanë shkuar për shtetet me të ardhura të larta dhe te mesme, ndërsa Afrika numëron vetëm 2.6 për qind të dozave të dhëna globalisht.
COVAX, një program global për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra, i udhëhequr nga OBSH-ja, synonte dhurimin e dy miliardë dozave deri në fund të këtij viti, por deri më ka dërguar 371 milionë të tilla. (A2 Televizion)