
Qasja e vendeve të varfra ndaj vaksinës, shqetëson kancelaren Angela Merkel. Në fjalën e saj gjatë samitit të G20-tës, ku liderët premtuan një shpërndarje të drejtë të vaksinës, Merkel paralajmëroi se progresi ishte i ngadaltë. Ajo tha se do trajtonte këtë çështje me aleancën globale të vaksinave GAVI.
“Do të flasim me GAVI-n lidhur me kohën kur do të nisin negociatat, dhe jam e shqetësuar pasi asgjë nuk është bërë deri më tani. Gjermania rrallë qëndron pa bërë asgjë, por Gjermania nuk mund t’i mbajë e vetme në këmbë, aleancat ndërkombëtare. Nuk mjafton të kemi para në banka. Duhet bërë diçka për vendet në zhvillim”, deklaroi Merkel.
Gjatë samitit, i cili këtë vit u organizua nga Arabia Saudite, virtualisht për shkak të pandemisë, shtetet më të pasura premtuan të mbështesin vendet e varfra, ekonomitë e të cilave janë dëmtuar rëndë nga kriza.
Në deklaratën përmbyllëse, liderët u zotuan se nuk do të kursenin asnjë përpjekje për të siguruar që të gjithë të kishin qasje të njëjtë të përballueshme ndaj vaksinave apo trajtimeve kundër koronavirusit.
Vendet e pasura kanë blerë që tani sasi të mëdha të dozave të vaksinës nga firmat farmaceutike. Presidenti francez Emanuel Macron u kërkoi liderëve të G20-tës të veprojnë shpejt, në mbështetje të vendeve të varfra duke dhuruar doza vaksine e duke ndarë të dhënat shkencore.
Por presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se më shumë fonde ishin të nevojshme për të mbushur boshllëkun prej 4.5 miliardë dollarësh në të ashtuquajturin akselerator ACT, mekanizmi që synon të sigurojë qasje për të gjithë ndaj testimeve, trajtimeve e vaksinave kundër COVID-19. (A2 Televizion)