Parlamenti 2019, nga djegia e mandateve te beteja mes dy opozitave

Nga A2 CNN
20 Janar 2020, 14:01 | Politikë
Parlamenti 2019, nga djegia e mandateve te beteja mes dy opozitave

Viti 2019 me dy sesionet e tij plenare ishte ndër vitet më të çuditshme në historinë pluraliste të Parlamentit. Nisi me një opozitë dhe u mbyll me një tjetër. Votat e kësaj të fundit u përdorën për të miratuar ligje që rrinin prej vitesh e muajsh në sirtarët e Kuvendit për shkak të konfliktit politik të mazhorancës dhe dy partive më të mëdha opozitare, PD e LSI.

Të rikthyer nga bojkoti i një viti më parë, këto dy forca nuk ndenjën gjatë në Parlament, pas protestave në dyert e Kryeministrisë dhe Parlamentit, vendosën të dorëzonin mandatet. Por, jo të gjithë u bindën. Lefter Koka i LSI-së dhe demokratët Myslym Murrizi e Rudina Hajdari refuzuan të dorëzonin mandatin e deputetit. Vendim i cili u solli përjashtimin nga partitë.

Mazhoranca nuk humbi kohë. Zëvendësimi nisi që të nesërmen e dorëzimit të mandateve. Fillimisht, ishin 4 deputetët e rinj që pranuan mandatet e lëna nga PD e LSI, pas muajit mars salla u mbush në mbi gjysmën e karrigeve të opozitës së vjetër dhe ky plotësim i njërit krah të sallës plenare karakterizoi pjesën e parë të jetës parlamentare në 2019.

U krijuan 3 grupe parlamentare me deputetët e rinj, por si pasojë e divergjencave, vetëm dy mbijetuan. Opozita e re votoi ligjet e mbetura të Reformës në Drejtësi, komisionin hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, prokurorin e ri të përgjithshëm dhe një seri ligjesh të tjera. Por, a mundi opozita të imponohej si e tillë?

"Janë 15 deputetë që votojnë falas për mazhorancën dhe janë të lumtur që e bëjnë këtë gjë. Ky është deformim i Parlamentit", thotë analisti i A2, Afrim Krasniqi.

Qetësinë e fituar nga socialistët e dëshmon mungesa e kryeministrit Edi Rama në votime, gjithnjë e më e rrallë gjatë sesionit të fundit. I vetëdijshëm që kishte 10-16 vota të të rinjve, sipas një raporti të Institutit të Studimeve Politike, ai gjatë 4 muajve të fundit të vitit 2019 ka votuar vetëm 21% të nismave ligjore të qeverisë së tij. Ndërsa në radhët e mazhorancës, sipas raportit të ISP, janë 6 deputetët që kanë dale jashtë urdhrave të grupit duke votuar kundër, lista kryesohet nga Bushati dhe Xhafaj.

Në 4 muaj megjithatë, Kuvendi ka votuar më shumë akte normative dhe rishikim ligjesh sesa ligje të plota. Parlamenti i vitit 2019 shënoi edhe risinë e të parës procedurë të nisur për shkarkimin e një Presidenti të Republikës, por përtej fjalëve, muajt i lanë vendin njëri-tjetrit pa asnjë produkt.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos