
Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat bëri publike rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në 5 bashkitë e vendit, duke u ndalur veçanërisht te eksperimenti me inteligjencën artificiale gjatë procesit të numërimit në Tepelenë.
Celibashi deklaroi se përdorimi i AI ishte një test teknik, jo një zëvendësim i mënyrës manuale të numërimit që përcakton Kodi Zgjedhor, shkruan A2 CNN.
“Në Tepelenë testuam përdorimin e AI në numërimin dhe vlerësimin e votave. Rezultatet ishin të suksesshme dhe përmbushën pritshmëritë tona. Leximi dhe analiza e fletëve u krye në kohë reale, me saktësi pothuajse 100% krahasuar me numërimin fizik,” tha Celibashi.
Ai shtoi se sistemi i inteligjencës artificiale lexoi me saktësi të plotë faqen ballore të fletëve të votimit, ndërsa u konstatuan disa pasaktësi të vogla në pjesën e pasme.
Sipas Kryekomisionerit, përmirësimi i mëtejshëm i saktësisë do të kërkojë ndërtimin e protokolleve teknike të posaçme për numëruesit dhe komisionerët, si dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor në mënyrë që rezultatet e prodhuara nga teknologjia të kenë vlerë ligjore zyrtare në të ardhmen. (A2 Televizion)
