
Partia shqiptare Alternativa vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kjo parti, ka 4 deputetë dhe i siguron shumicën parlamentare partive në pushtet, LSDM-së dhe BDI-së, të cilat pas largimit të Lëvizjes Besa, kishin mbetur me 60 deputetë, aq sa vota kishte edhe opozita. Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani, ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj ishin edhe nënshkrues të nismës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë së Zaev më 11 nëntor.
Hyrjen në Qeveri partia Alternativa e argumentoi me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian.
Zëdhënës i Partisë Alternativa, Orhan Murtezani, në një lidhje direkte me A2 CNN tha se tentativa ka qenë, për të pasur një shumicë qeveritare që Bullgaria të mos ketë alibi.
Alternativa do të ketë 3 ministra, me e rëndësishmja ajo e Shëndetësisë, dhe po kaq zv.ministra në qeveri, si edhe rreth 40 drejtori.
Kryeministri Zaev, pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e Alternativës, Gashi, foli edhe për çështjen me Bullgarinë. Ai vlerësoi se nëse nuk ka zgjidhje tani, nuk ka për t’u zgjidhur as në vitin 2022. Sipas tij, edhe Evropa vitin që vjen futet në një fazë tjetër me shumë probleme politike dhe zgjedhje parlamentare.
Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar. (A2 Televizion)