Partizani është shpallur kampion për herë të 17 në histori, pasi mundi Teutën me rezultatin 2-0.
Goli i Rrapajt në minutën e 38 dhe ai i Carës në minutën e 97 mjaftuan për të kuqtë që të merrnin 3 pikët që zyrtarizuan titullin.
Tirana fitoi 2-1 ndaj Erzenit, duke e mbyllur kampionatin me pikë të barabarta me Partizanin, por me të kuqtë që morën titullin falë përballjeve direkte me bardheblutë.
Kjo humbje bën që shijakasit të duhet të luajnë në Play-Out, kundër Korabit, për të qëndruar në elitë.
Në ndeshjet e tjera, Vllaznia fitoi në Ballsh ndaj Bylisit vendas me rezultatin 1-2 duke siguruar kualifikimin në Europë, ndërsa ballshiotët bien një kategori më poshtë. Laçi fitoi me shifrat 3-0 ndaj Kastriotit, por vendasit mbeten jashtë Europës, duke mos shkuar më shumë se vendi i pestë në klasifikim.
Një triumf me vlera edhe për Kukësin në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Verilindorët fituan me shifrat 0-1 teksa autori i golit ishte Shqiprim Taipi, i cili zhbllokoi ndeshjet në minutën e 55-të. Pas këtij rezultati, Kukësi e mbyll kampionatin në vendin e shtatë, ndërsa Kastrioti e kishte vulosur rënien një kategori më poshtë. (A2 Televizion)