
Menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ka reaguar edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Me anë të një statusi në Twitter, Kim shkruan se veprimet e SPAK-ut, veçanërisht këtë javë, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.
“Mund të vraposh, por nuk mund t'i fshihesh më ligjit. Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete”, shkruan ambasadorja.
Koka u arrestua nga policia pas lëshimit të urdhrit nga SPAK. Ai akuzohet për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Koka, ka qenë deputet i LSI, u shkëput nga kjo parti kur dorëzoi mandatet dhe iu bashkua Partisë Socialiste.
Një ditë më parë u bë publik edhe lajmi që është arrestuar në Romë ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, ndërsa SPAK ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e tij. Sipas burimeve, autoritetet homologe italiane kanë njoftuar në rrugë zyrtare Prokurorinë e Posaçme se Llalla është arrestuar në zbatim të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij. (A2 Televizion)