
Kreu Partisë së Lirisë i është bashkuar thirrjes që kryedemokrati Sali Berisha po bën për të përjashtuar nga rrjetet sociale kryeministrin Edi Rama. Në një postim të bërë në llogarinë e tij në Twitter, Ilir Meta shprehet se qeveria Rama po shkel rregullat dhe standardet ndërkombëtare të platformave online.
“Mbështes thirrjen e liderit të Partisë Demokratike Sali Berisha, drejtuar Mark Zuckerberg-ut dhe Elon Musk-ut dhe platformave të tjera online që t’i mohojnë aksesin qeverisë Rama për shkak të praktikave të ndjekura prej tyre në shkelje të standardeve dhe rregullave të tyre globale.”
Më herët gjatë së premtes, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Sali Berisha lëshoi një apel për Mark Zuckerberg dhe Elon Musk që të ndalin atë që ai e quajti “terror digjital të Edi Ramës”.
Sipas Berishës, Rama nuk ka asnjë parim dhe po terrorizon punonjësit e administratës përmes rrjeteve sociale.
“Unë i bëj thirrje Mark Zuckerberg, Elon Musk, të ndëshkojnë këtë praktikë të abuzimit në rrjetet sociale nga një njeri që nuk ka asnjë parim, që terrorizon punonjësit e thjeshtë, dhe të heqin këtë të drejtë derisa të anulojnë këtë aplikacion famëzi të kontrollit të qytetarëve. PD-ja do të konsiderojë në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, edhe një proces ndërkombëtar ndaj Edi Ramës për këtë çështje. Ky është terror, ky është turp, ky është depersonalizim,” tha ndër të tjera lideri i demokratëve. (A2 Televizion)