
Champions League kthehet me ndeshjet e para të fazës çerekfinale. Në Manchester, City do të ndeshet me Atletico Madrid, teksa Liverpool luan trasfertën me Benfica në Lisbonë.
Dueli në “Etihad Stadium” vendos përballë dy skuadra me filozofi loje krejt të ndryshme, por në fushë do të zbresin shumë lojtarë të nivelit botëror. Edhe pse pa Ruben Dias dhe Walker në mbrojtje, Pep Guardiola ka një skuadër yjore.
Mesfusha dhe sulmi mbeten repartet më cilësore, me fazën ofensive që do të udhëhiqet nga Mahrez, Foden dhe Sterling. Në anën tjetër, Atletico pritet të rreshtohet me skemën klasike 4-4-2. Trajneri Diego Simeone do t’ia besojë fazën sulmuese dyshes Joao Felix dhe Griezmann, teksa Kondogbia do të jetë në mesfushë.
Në Portugali, “Estadio da Luz” do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë, me tifozët e Benfica-s që do të provojnë të shërbejnë si mbështetje për ekipin, përballë favoritëve të Liverpool.
Te vendasit, Taarabt dhe talenti Nuñez do të luajnë titullarë, teksa Jurgen Klopp duhet ende të zgjidhë dilemat, nëse do të aktivizojë Firmino apo Diogo Jota në qendër të sulmit. Nga krahët e sulmit do të rreshtohen Salah dhe Luis Diaz. Të dy sfidat çerekfinale të Champions nisin prej orës 21:00. (A2 Televizion)