
Futbolli para jetës nuk është asgjë, mirëpo jeta pa të nuk ka kuptim! Kur kemi hyrë në muajin e dytë të luftës në Ukrainë, çdo aktivitet sportiv atje është ndërprerë. Por pas kësaj pauze të gjatë, duket se ka dritë në fund të tuneli.
Një nga skuadrat më të njohura ukrainase, Shakatar Donetsk, kërkon të harrojë sadopak situatën që po kalon vendi dhe të rifillojë stërvitjen. Klubi ukrainas ka zyrtarizuar 5 miqësore me skuadrat e mëdha europiane ku përmendim këtu Besiktash, Lacio, Sevilla apo Paris Saint Germain.
Një iniciativë të ngjashme ka ndërmarrë dhe skuadra tjetër ukrainase, Dinamo Kiev, e cila gjithashtu ka siguruar disa miqësore luksi me skuadra me histori në Europë. Festivalin e ndeshjeve e nis me Borussia Dortmund, ndërsa pas gjermanëve, ukrainasit përballen me Paris Saint Germain, Barcelona, Milan apo Ajax.
Datat fikse të kalendarit mbeten për t’u caktuar, ndërsa klubet europiane kanë pranuar menjëherë të luajnë miqësoret për të ndihmuar sadopak klubet ukrainase në këto kohë të vështira dhe të pazakonta. (A2 Televizion)