
Qindra familje në disa dhjetëra fshatra, nga veriu në jug, prej ditësh po përballen me mungesën e furnizimit me energji elektrike, për shkak të defekteve në linjat e transmetimit, si pasojë e kushteve atmosferike.
Pushimi i reshjeve tanimë i ka lënë vendin ngricave dhe akullit, që ka bërë që shumë fshatra në Bulqizë dhe Dibër, të kenë vështirësi në komunikimin me qendrat e bashkive.
Ndërkohë, fshatrat e Zerqanit, Ostrenit, Gjoricës, Trebishtit e Martaneshit po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike. Ndërsa në Dibër, Selishta, Lura dhe Reçi, thuajse janë të bllokuar për shkak të ngricave dhe nuk komunikojnë dot me qytetin e Peshkopisë.
Edhe në juglindje, situata është thuajse e njëjtë me ngrica dhe mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Rryma prej 4 ditësh dhe tre netësh mungon në 33 fshatra të qarkut të Korçës, ku banojnë qindra familje.
Situata njihet edhe nga prefekti i Korçës, i cili premton marrjen e masave dhe analizimin e faktorëve për këtë situatë të krijuar që në fillim të dimrit me ditët e para të ftohta. (A2 Televizion)