
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj të dyshuarave Sueda F. 25 vjeç dhe Geralda S. 22 vjeçe.
A2 CNN ka siguruar dosjen e prokurorisë për ngjarjen e shënuar mbrëmjen e 23 shkurtit në zonën e Komunës së Parisit.
Në deklarimet e dhëna në prokurori, pesë vajzat e përfshirat në ngjarje kanë akuzuar palën kundërshtare për kërcënime dhe fyerje në rrjetet sociale dhe për ftesa të ndërsjella për t’u takuar për të “sqaruar muhabetin”.
Geralda S.: Ishim duke pirë kafe me Suedën dhe një shok kur ajo komunikoi me një të njohurën e saj, që quhet Flavia për të lënë një takim. Kur kemi shkuar tek vendi që ishin gocat kam parë se ishin edhe tre goca të tjera. Më pas nga tuneli i pallatit ka dalë Tea dhe ka kapur nga flokët Suedën, duke e rrëzuar në tokë. Unë u futa t’i ndaja por Tea m’u vërsul dhe i gjuajta me grushte për vetëmbrojtje. Vura re edhe gjakderdhje.
Sueda F.: Tea dhe më kap nga flokët nga mbrapa dhe më përplas në tokë duke më tërhequr zvarrë. Unë në këto momente ngaqë nuk mund të mbrohesha dhe duke u trembur shumë kam nxjerrë nga xhepi një biçak, që mbaja me vete për vetëmbrojtje kur dilja për vrap nga liqeni. Pasi kam nxjerrë biçakun i kam gjuajtur dy ose tre herë në bark me thikë. Tea më lëshon. Më kap nga flokët Favia duke më gjuajtur me grushte dhe i qëlloj me biçak 2 herë edhe asaj në krah.
Sipas të akuzuarës Sueda F., sherri mes ish-shoqeve kishte nisur teksa ishin bashkë me pushime në Sarandë. Ajo kishte fshirë Tean nga lista e miqve në Instagram, pasi ishin konfliktuar për pagesën e dëmeve të shkaktuara në shtëpinë e marrë me qira.
Sueda F.: Pasi i ndërpreva marrëdhëniet, Tea nisi duke më kërcënuar pas disa ditësh me adresën e saj herën e parë dhe me adresa false herë të tjera. Dy muaj më parë mua më kanë telefonuar dy shoqe të miat, duke më thënë se Tea do vijë të të rrahë, por s’e kam marrë seriozisht. Ditën e djeshme, një vajzë i shkruajti shoqes sime Geraldës, mos u shoqëro me Suedën, se Tea dhe Alesia kanë ardhur tek një restorant ku po hanit për t’ju rrahur, por ju ishit larguar. Kujdes i ka thënë, se këto ditë kanë bërë komplot për ta nxjerrë pa kamera dhe t’i ushtrojnë dhunë.
Sipas prokurorisë plagët e shkaktuara tek tre vajzat e tjera në përleshje kanë qenë të pa rrezikshme për jetën e tyre, ndërsa vetëm njëra ka pasur nevojë shtrimi në spital. Në vendin e ngjarjes, përveç njollave të gjakut, policia administroi si provë edhe një sasi fijesh të gjata flokësh me ngjyrë të zezë. (A2 Televizion)