Pastrimi i parave, qeveria propozon zgjerimin e kategorive që deklarojnë pasurinë

Nga A2 CNN
23 Shtator 2021, 16:14 | Politikë
Pastrimi i parave, qeveria propozon zgjerimin e kategorive që

Mazhoranca kërkon të ndryshojë ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, për të zgjeruar kategorinë e personave që kanë detyrimin e deklarimit të pasurisë. Në kohën kur struktura e BKH-së ka nisur punën për hetimin e zyrtarëve të lartë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është miratuar projektligji, në të cilin përcaktohen qartë se kush janë personat e ekspozuar politikisht, të cilët duhet të deklarojnë pasurinë. Mazhoranca kërkon ndryshimin e nenit 1 të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave”, ku në pikën 10 të saj propozon që të përcaktohen se kush janë personat që kanë detyrimin e deklarimit. 

“Shtesa në ligj e propozuar nga qeveria për personat: “Individët, të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit apo jashtë vendit, si:

-Kryetar shteti ose qeverie, ministra, zëvendësministra ose pozicione të ngjashme me to

-Anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, politikanë të lartë, anëtarë të organeve drejtuese të partive politike

-Gjyqtarët e gjykatave të larta ose kushtetuese si dhe çdo gjyqtar i një gjykate, ndaj vendimeve të së cilës nuk mund të ushtrohen mjetet e zakonshme të ankimit

- Anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura

-Drejtuesit e lartë ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore, si dhe drejtorët, zëvendësdrejtorët ose anëtarët e bordit ose çdo pozicion tjetër i ngjashëm me to në një organizatë ndërkombëtare”.

Mazhoranca propozon që ligji ta përcaktojë dhe se kush janë familjarët e personave të ekspozuar që detyrohen të deklarojnë pasurinë.

“Pas pikës 10 shtohen pikat 10/1 dhe 10/2, me këtë përmbajtje:“10/1. Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë:a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht; b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set; c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.”

Propozimi i Mazhorancës do të depozitohet në Kuvend, për të kaluar në komisionin e ligjeve, e më pas në Parlament. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos