PD dorëzon padinë për shembjen e Teatrit Kombëtar, pretendohen 9 vepra penale

Nga A2 CNN
2 Qershor 2020, 16:07 | Politikë
PD dorëzon padinë për shembjen e Teatrit Kombëtar,

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK padinë për shembjen të cilësuar si të paligjshme të Teatrit Kombëtar.

Sipas PD-së , qeveria ka “shkelur çdo ligj për të çuar përpara projektin e grabitjes së tokës publike të Teatrit dhe pas Teatrit. Një drejtësi e pavarur e ka shumë të thjeshtë të faktojë këtë të vërtetë dhe t’i vërë prangat Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.

Kallëzimi është për kryerjen e pretenduar të 9 veprave penale, “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i veprave kulturore”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”,  “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Korrupsioni pasiv i funksionareve te lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendore”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kallëzimi, përtej kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, i drejtohet edhe Arbjan Mazniku, Alban Dokushi, Taulant Tusha, Erindi Bejko, Jonida Halili, Julinda Dhame, Ditjon Baboci, Dhimitraq Furxhi, Frida Pashako, Berta Piro, Laura Deliu, Elena Jaupaj, Jetmir Hasa, në cilësinë e nëpunësve civilë pranë Bashkisë Tiranë dhe propozues për shembjen e Teatrit Kombëtar, dhe Toni Gogut, kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë.

Të kallëzuar edhe Ing. Agron Hysenlliu, Ing. Afrim Cenga, Ing. Artur Hasantare, Ing. Olsi Nunaj, Ing. Elbarina Nunaj, në cilësinë e funksionarëve të Institutit të Ndërtimit, dhe Dallëndyshe Bici, kryeinspektore e IKMT-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos