
Pas akuzave të ngritura gjatë ditëve të fundit, në lidhje me pretendimet për abuzim me tendera të disa ministrive, Partia Demokratike i ka bërë një kërkesë zyrtare Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku shpreh shqetësimin se “përmes këtyre procedurave jotransparente, paratë e shqiptarëve janë përdorur në mënyrë abuzive dhe korruptive”.
Kërkesa e PD-së është bërë për 17 tenderë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, për të cilët kjo parti pretendon se kanë paracaktuar fituesin në blerjen e paketave ushqimore apo mjeteve mbrojtëse mjekësore anti-COVID.
“Të gjitha këto procedura, për aq sa janë bërë publike, provojnë paracaktimin e fituesve dhe një rritje fiktive të çmimeve të blerjes së mallrave të prokuruara. Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës.”- thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Në kërkesë, PD-ja thekson se pjesa dërrmuese e procedurave janë klasifikuar në kundërshtim flagrant të ligjit si procedura sekret, duke eliminuar çdo minimum transparence mbi to.
Partia Demokratike ka deklaruar më herët se me këto kontrata sekret, me çmime 2-3 herë më të larta se tregu, sipas saj, janë abuzuar miliona lekë, të cilat mund të ishin përdorur për të ndihmuar më shumë bizneset apo qytetarët në vështirësi të rënda ekonomike. Duke vënë në dukje interesin publik për garantimin e përdorimit të mirë të fondeve publike, Partia Demokratike kërkoi nga KLSH bashkëpunim për auditimin në një kohë sa më të shpejtë të mundshme të këtyre procedurave të prokurimit. (A2 Televizion)