
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim online me strukturat kryesore të partisë në të gjithë Shqipërinë, me të cilat bisedoi për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në zonat tyre.
Pas këtij bashkëbisedimi Basha u shpreh se të gjithë drejtuesit e PD-së, kanë shfaqur pakënaqësinë e përballimit të kësaj situate nga qeveria, e cila ka lënë në harresë qytetarët dhe nuk iu ka dhënë asnjë ndihmë.
“E përbashkëta kudo është që qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme. Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese. Shumica nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, ndërkohë që ju duhet të paguajnë edhe faturat e rritura të dritave dhe ujit. Pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizimin, pa përjashtuar askënd”, shprehet Basha. (A2 Televizion)