PD denoncon 10 tendera të tjerë sekretë: Nuk tregohet as për blerjen e letrave higjienike

Nga A2 CNN
25 Prill 2020, 14:11 | Politikë
PD denoncon 10 tendera të tjerë sekretë: Nuk tregohet as për

Partia Demokratike ka denoncuar të shtunën se qeveria ka klasifikuar dhe 10 tendera të tjerë si sekretë, për të mos treguar vlerën e blerjes së pajisjeve të nevojshme për mjekët, për përballimin e pandemisë.

Sipas numrit dy të kësaj partie, qeveria po fakton se prioritet i saj është vjedhja me çdo lloj forme e parave të shqiptarëve dhe jo shëndeti i tyre.

“Janë plot 10 tendera të rinj të zhvilluar në datë 18 Prill, që Qeveria i ka klasifikuar përsëri sekret. Është e paimagjinueshme që mes këtyre kontrateve sekrete janë dhe tenderat për blerjen e letrave higjienike me procedurë sekrete, letrat e duarve dhe kartopeceta. Jam i sigurtë që çdokush që po e dëgjon këtë tani nuk u beson veshëve. Por vendimi i qeverisë së Edi Ramës, i publikuar mbrëmë në fletoren zyrtare, nuk lë vend për asnjë hamendje. Letrat higjienike për të sëmurët me COVID dhe stafin mjekësor që kujdeset për ta janë shpallur sekret. Mjerim më të madh për një qeveri nuk mund të ketë”, shprehet Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, më tej i bëri thirrje prokurorisë që të dalë nga karantina, pasi ka mjaftueshëm fakte që të çojë para drejtësisë ata që ai i konsideron hajdutët e qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos