
Partia Demokratike ka qindra eksponentë me potencial politik që mund të marrin në dorë frenat e partisë dhe mund të kandidojnë edhe përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kryetar. Kështu u shpreh aktivisti i kësaj force politike, Lisandër Hoxha, në studion e “Dita jonë”, teksa shprehu dhe mbështetjen e fuqishme ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për nismën e tij për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor dhe rrëzimin e Bashës.
“Ka me qindra eksponentë të PD-së njerëz të PD-së me potencial politik që mund të dalin të kandidojnë përballë Berishës dhe mund ta votojnë demokratët. Ekipi i demokratëve në krah të Sali Berishës është shumë i madh. Ka me qindra të rinj e të reja që mund të marrin në dorë frenat e PD-së. Po luftojmë për të ngritur institucionet. Ka debate në PD. Nuk është aq komode. Do të bëjmë gjithçka për të ngritur PD-në në nivelet e saj, ose do ringrihet ose do të fundoset. Të siguroj që nuk e ka të lehtë edhe nëse bëhet kryetar i PD-së. Bashkëpunëtorët e Berishës nuk janë kunguj. Ka demokratë të përgjegjshëm PD-ja. Nuk ka nevojë të na shfrytëzojë se jemi 90% e anëtarësisë e pakënaqur me Bashën”.
Sipas tij, Berisha ka mbështetjen e madhe të demokratëve dhe ka siguruar 4500 firma për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, i cili ka si synim të parë largimin e Bashës, ndryshimet statutore dhe mbajtjen e aleancës me SHBA-në.
“Berisha shyqyr që u ngrit për të hequr Lulin. Jemi në hall se jemi 12 vjet në opozitë, po tallet me djersën e demokratëve. Berisha është me turmën sot, është me njerëz, njëri ka bërë foltore, tjetri floktore. Berisha ka siguruar 4500 firma delegatësh. Kjo është dëshmi e mjaftueshme për t’u thënë shqiptarëve se kush e kontrollon PD-në, Berisha është në terren me demokratët, kurse Basha në zyrë. Edhe nëse do e ndërmerrja unë këtë fushatë, shumica e njerëzve nuk do të bashkohej, kurse Berishës i bashkohen të gjithë. Mos i shikoni si tufa kungujsh këta. Po shkojmë drejt Kuvendit Kombëtar, kemi disa synime; së pari largimi i humbësit. Më 11 dhjetor, ikën Basha, do të bëjmë ndryshime statutore dhe mos kini dyshim për mbajtjen e aleancës strategjike SHBA-PD”.
Por duke mbetur tek aleanca e PD-së me SHBA-në, Hoxha theksoi se marrëdhëniet me aleatin strategjik janë të shkëlqyera dhe njoftoi se në vijim do të ketë vizita të drejtuesve të PD-së në SHBA.
“Zotëria i ka hedhur në gjyq, nuk po rri si Dako dhe i fton publikisht të paraqesë provat në gjykatën e Parisit. Nuk mund të shpallësh të korruptuar Berishën me dokumentacionin e Delina Ficos. Përfshirja e PD-së në këtë rol është zero. PD-ja nuk do të ndërmarrë asnjë hap. Marrëdhëniet politike me SHBA-në janë të mira. Asnjë lloj konflikti me SHBA-në, do të shikoni. Marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në dhe vizita të rëndësishme të drejtuesve të PD-së në SHBA. Është jetike të kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në”.
Hoxha thekson se situata nuk është e qetë dhe për këtë akuzon George Sorors se po investon triliarda dollarë për blerjen e Ballkanit dhe falimentimin e Shqipërisë për ta kthyer atë në lavatriçe të pastrimit të parave të Europës.
“Por situata nuk është e qetë, kemi një George Soros që po investon triliarda dollarë për të blerë Ballkanin, është fakt. Ka prodhuar megaskandal dhe tentohet falimentimi i Shqipërisë që është “Open Balkan” që do të kthehet në lavatriçen më të madhe të Europës të pastrimit të parave të Europës, që është Serbia e Shqipëria. Kur ne të vijmë në pushtet do ta shikoni sa të rëndësishëm janë amerikanët për ne”. (A2 Televizion)