PD kërkon mbledhje të Këshillit Politik, Gjiknuri: Sillni propozim të ri për formulën e KQZ

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 12:30 | Politikë
PD kërkon mbledhje të Këshillit Politik, Gjiknuri: Sillni

Partia Demokratike ka kërkuar një tjetër mbledhje të Këshillit Politik për reformën zgjedhore pasditen e së mërkurës në orën 17:00 për përmbylljen e pikave të lëna pezull dhe dërgimin e draftit të dakordësuar në Kuvend.

Pasditen e së martës mazhoranca dhe opozita i janë rikthyer sërish përplasjeve, duke mos gjetur dakordësi për strukturimin e KQZ-së, si dhe përcaktimin në Kod Zgjedhor të procedurave të tenderimit për identifikimin biometrik.

Për këtë kërkesë ka reaguar dhe përfaqësuesi i mazhorancës në tryezë, Damian Gjiknuri, i cili deklaroi se opozita duhet të bëjë një propozim të ri për formulën e KQZ pasi Kuvendi është sovran në zgjedhjen e këtij institucioni.

Sipas Gjiknurit vetëm nëse sillet një propozim i ri që bazohet në këto parime mund të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos