
Alfred Peza, sekretar për shoqërinë civile dhe mediat në PS, ishte i ftuar në A2, nga ku foli për zhvillimet më të fundit politike. Peza komentoi zhvillimin më të fundit në Këshillin Politik, aty ku opozita paraqiti një shkresë që do t’i drejtojë më pas OSBE/ODIHR, ku kërkon mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë për 5 pyetje.
Sipas Pezës, letra e opozitës është një “nulitet politik”, siç e quan ai. “Thjesht shpreh disa opinione të një retorike të njëanshme. Ka dy momente që tregojnë se opozita nuk është serioze. Nëse do të ishte serioze do të ofronte amendamente mbi propozimin konkret të PS-së në lidhje me implementimin e ndryshimeve kushtetuese në kodin zgjedhor, ose do të sillte vetë një propozim të sajin. Qëndrimi i opozitës është se opozita është për një listë të hapur përmes një renditje sipas rendit alfabetik. Mjafton që këtë retorikë politike ta shkruajnë në një letër dhe ta sjellin si propozim në Këshillin Politik. Vetëm atëherë do të kuptojmë nëse opozita e ka seriozisht hapjen e listave dhe modelin e propozuar nga Basha me rend alfabetik apo jo. Opozita e rrugës nuk është serioze”, u shpreh Peza.
Për Pezën, ka 3 arsye që lista është 100% e hapur sipas propozimit të PS. “E para, shqiptarët do të kenë të drejtën e një vote, por të dy votave, një për siglën e partisë ose koalicionet dhe një votë për secilin nga kandidatët. E dyta, ata kanë të drejtë të zgjedhin secilin nga kandidatët, nga i pari tek i fundit sipas vlerësimit të tyre. E treta, kjo i jep mundësinë edhe kandidatëve që janë në fund të listës, nëse arrijnë të marrin aq vota mbi mesataren që i duhet një mandati për t’u fituar në një qark të caktuar, të bëhet deputet sipas vullnetit të qytetarëve, edhe nëse ai nuk është i renditur në pjesën fituese fillimisht në listë”, tha Peza.
Sipas tij, opozita, përmes këtyre letrave pa vlerë, po kërkon të humbasë kohën e çmuar për të bërë një proces zgjedhor siç e meritojnë shqiptarët. “Ata ose duhet të dalin dhe të pranojnë propozimin tonë ose të sjellin propozimin e tyre, kjo është shumë e thjeshtë”. (A2 Televizion)