PD nuk frymëzoi në këto zgjedhje, Harxhi: Basha të japë dorëheqjen

Nga A2 CNN
6 Maj 2021, 12:27 | Politikë
PD nuk frymëzoi në këto zgjedhje, Harxhi: Basha të japë

Grupimi i anëtarëve dhe ish-anëtarëve të PD-së që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, mbajtën një konferencë për shtyp, kur renditën disa nga arsyet e kërkesës së tyre.

Sipas grupimit “Për PD”, Lulzim Basha dhe drejtuesit e lartë të PD-së duhet të mbajnë përgjegjësi për humbjen, duke kujtuar rastin e Sali Berishës në 2013. Në deklaratë thuhet gjithashtu se rikuperimi i votave të PD-së në këto zgjedhje nuk ishte fitore pasi partia nuk garoi për të dalë forcë e dytë.

“Jemi një grupi i përbërë nga ish-drejtues të PD-së, anëtarë, simpatizantë. Mes nesh ka dhe nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Grupim “Për PD” kërkon reformimin e partisë. Hapja e rrugës së reformimit vjen nëpërmjet dorëheqjes së kryetarit, kryesisë dhe mbledhjes së këshillit kombëtar, për të nisur një proces rihapje dhe riformimi nga baza deri lart.

Shqipëria u përball me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit pas një periudhe 8-vjeçarje të një qeverisje të korruptuar që e ka çuar vendin në varfëri. Tjetërsimi i votës, përdorimi i administratës dhe përdorimi i të dhënave ishin disa elemente të strategjisë që përcaktuan rezultatin. Por ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se PD-ja në këto zgjedhje nuk frymëzoi dhe nuk mobilizoi qytetarët dhe nuk arriti të sigurojë mbështetje për fitore, kundër një qeverisje të lodhur nga skandalet.

Zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të humbeshin. PS-ja dhe aleatët kanë 77 vende, opozita ka 63. Zhvendosja e votave nga LSI-ja te PD-ja nuk është fitore. PD-ja nuk po garonte për vend të dytë. Përgjegjësia për zgjedhjet është e drejtuesve të lartë të partisë. Kreu i PD-së dhe drejtuesit e lartë duhet të marrin përgjegjësitë për këtë humbje të rëndë. Sali Berisha vendosi një standard në 2013. Largimi i Bashës nuk është fundi i PD-së, por fillimi i ringritjes së saj”, tha Harxhi.

Grupimi “Për PD” përbëhet nga Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj, Indrit Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos