
Me argumentin se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka vepruar pas 3 kallëzimeve për blerjen e pretenduar të votave në Qarkun e Durrësit, Partia Demokratike ka publikuar emrat e personave që akuzon si të përfshirë në skemë.
“Qarku i Durrësit, ku kandidonte vetë Edi Rama, përbën modelin kryesor të skemës së blerjes së votave përmes njerëzve kyçë në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar.
“Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve te opozitës, Partia Demokratike ka bërë 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke nisur me kallëzimin e parë në 2 prill. Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave, tha Belind Këlliçi.
"SPAK është vënë në dijeni të skemës kriminale që në 2 Prill, por nuk bëri asgjë. SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e dytë në 14 Prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti edhe pas kallëzimit të tretë për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë Qarkun e Durrësit për të nxjerrë Edi Ramën deputet dhe për ta mbajtur atë në pushtet", shtoi Këlliçi.
"Janë mbi 70 përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votës. Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për ta shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lira të deformojnë vullnetin e zgjedhësve.
Beteja jonë për të çrrënjosur aleancën e së keqes Rama-Doshi-Rakipi, që mban Shqipërinë në vendnumëro, nuk do të ndalet derisa t’ia ketë arritur qëllimit. Shqiptarët e ndershëm janë shumica. Ata nuk kanë votuar për një regjim kriminal, por kërkojnë sundimin e shtetit ligjor, zgjedhje të lira e të ndershme dhe një qeveri që sjell ndryshimin real të vendit", tha Këlliçi. (A2 Televizion)