
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me situatën që është krijuar në vendgrumbullimin e mbetjeve në qytetin e Fierit, i cili prej ditësh ndodhet nën tymin toksik të mbetjeve që digjen. Nga vendgrumbullimi i mbetjeve, të cilin deputeti i qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj e quajti vend krimi, ai e cilësoi këtë një vend krimi dhe i kërkoi SPAK-ut që të zbarkojë në Fier dhe të hetojë këtë krim mjedisor.
Në krah të Gazmend Koduzit, Alibeaj tha se pasojat shëndetësore për qytetarët e Fierit do të jenë të rënda.
“Kemi ardhur për të ndërgjegjësuar mendjet për qytetarët e Fierit që janë në mishërim të fatit për të kuptuar sa të rënda janë këto pasoja në aspektin shëndetësor. Në këtë vend krimi e vendngjarje. Kjo është një fytyrë tjetër e kësaj qeverie, helmi për qytetarët dhe paratë për incineratorin. Duhet t’i bëjmë thirrje drejtësisë e cila mungon në vendngjarje sot këtu dhe te incineratori. Është vendi dhe koha që SPAK të zbarkojë në Fier te incineratori dhe helmet që u jepen fierakëve”.
Nga ana e tij mjeku Koduzi, teksa e konsideroi situatën e ndotjes kriminale me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve, i bëri apel autoriteteve që të marrin masa për depistimin e popullatës diagnostikimin dhe kurimin e tyre.
“Situatë kriminale për ndotjen e ajrit. Për disa ditë janë djegur mbeturina që kanë elementë të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Prek mushkëritë shkakton kancer dhe dëmton sistemin nervor. Ekspozimi jep pasoja të rënda dhe te qytetarët me pasoja ekzistuese profesionale. Kjo situatë do të sjellë një barrë të madhe financiare për qytetarët që duhet të diagnostikohen. I bëjmë thirrje qeverisë e institucioneve të marrin masa; të bëjnë depistimin në popullatë dhe diagnostikimin, trajtimin dhe rimbursimin e barnave për komplikacionet”. (A2 Televizion)